Kryeministri Edi Rama, në episodin më të fundit të podkastit të tij “Flasim”, ka komentuar për herë të parë publikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese që lidhet me situatën e krijuar rreth kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Rama paralajmëroi se nëse në Tiranë nuk zhvillohen zgjedhje deri në vitin 2027, vendi do të përballet me një “disproporcion të dyfishtë”, pasi kryeqyteti “nuk mund të mbetet pa drejtues të zgjedhur”.
“Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që dua t’i nënvizoj. Siç duket, dhe nuk është hera e parë që duket për ata që duan të shohin, unë nuk i paskam kapur të gjitha pushtetet”, tha Rama me ironi, duke iu përgjigjur kritikëve që e akuzojnë për kontroll të institucioneve.
Kryeministri theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të lejojë që Veliaj të gjykohet në liri, pasi “mbajtja e tij në qeli është në dëm të qytetarëve”.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027, jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë: mbajtja e tij në qeli në dëm të qytetarëve për t’u shërbyer nga i drejti. Më duket se është normale që Kushtetuesja, kur të gjykojë masën, ta lirojë dhe gjykimi të vijojë në liri.”
Rama shtoi se Tirana “nuk mund të jetë një trup pa kokë”, duke e cilësuar situatën aktuale si “ngërç absurd”.
“Tirana duhet drejtuar. Kryeqyteti ka nevojë për të zgjedhurin e vet në krye. Kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi, duhet ta bëjë. Kryeqyteti s’mund të trajtohet si jetim. Ky është skandal në vetvete”, përfundoi Rama.
Kjo është deklarata më e drejtpërdrejtë e kryeministrit që prej vendimit të Kushtetueses, e cila ka ngrirë përkohësisht zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë pezull të ardhmen e drejtimit të Bashkisë.




