Një pilot kaq të ri, të talentuar dhe shumë të apasionuar zor se e keni hasur më herët. Bëhet fjalë për një fëmijë të talentuar shqiptar.
“E kam emrin Rohan Yzeiraj, jam 10 vjeç dhe kam 5 vite që merrem me këtë sport”, tha ai.
Të shohësh Rohanin teksa nget 4 rrotakun e tij, krijon idenë se ky djalosh ka një jetë që merret me Go-Kart. Një talent i padiskutueshëm për vendin tonë, që edhe pse në moshë kaq të re, po fiton një eksperiencë të jashtëzakonshme.
“Kam marrë pjesë në Rotaxmax Italia, Grand Max dhe Eurotrophy. Po stërvitem për garat e ardhshme në 2026, sezoni i Rotaxmax Italia 2026 dhe dy garat e Rotax Zvicrës”, shtoi Rohan.
Performanca e tij në këto kompeticione tërhoqi vëmendjen e ish-kampionit të botës në Formula 1, Kimi Raikkonen i cili i ofroi mundësinë e jetës.
“Unë u takova me të, sepse u përzgjodha me 14 pilotë të tjera, italiane e zviceranë, ai po më mësonte një kthese që e kisha gabim më pas e rregullova.
Unë me djalin e tij Kimi Raikonne bëmë të njëjtin kampionat, Kimi më pa mua dhe disa të tjerë. Në fund të sezonit i erdhi babit email që isha përzgjedhur nga Kimi Raikonen për të marrë pjesë në shkollën e Karting të tij”, shprehet 10-vjeçari.
“Kimi Raikonen ka përzgjedhur 14 pilotë, mes tyre dhe Rohani, urojmë që akademia e tij të vazhdojë për mirë. Shpresoj shumë që Rohani të vazhdojë me talentin e tij, duke qenë se një sy kritik e zgjedh në akademinë e vetë, do të thotë që ai ka brumë të mirë dhe mund të vazhdojë ecurinë e tij me mbështetjen e Kim”, tha Ledjon Velaj, menaxher i Rohanit.
Rohani është në rrugën e duhur, por për të ndërtuar një karrierë të suksesshme ka nevojë për mbështetje.
“Shpresojmë që ky sport të ketë mbështetje sepse është sport i vështirë, sepse ne nuk kemi as akademi në Shqipëri që mund të na mbështesë. Urojmë për një mbështetje nga shteti apo sponsorët, sepse është sport i vështirë për tu menaxhuar”, theksoi menaxheri i 10-vjeçarit.
Emrin e Rohan Yzeirajt mos e harroni, sepse nuk do të jetë e largët dita kur ky talent të bëjë krenarë gjithë shqiptarët në arenën ndërkombëtare.




