Kryeministri Edi Rama, në Dialogun e Ballkanit, ka bërë të ditur se Diella — asistenti virtual me inteligjencë artificiale — do të krijojë edhe të tjera njësi të ngjashme, duke e cilësuar këtë projekt si një proces në zhvillim. Madje, ai tha me humor se “Diella është shtatzënë” dhe se “do të ketë 81 fëmijë”, duke iu referuar versioneve të personalizuara për deputetët.
“Diella është shtatzënë dhe do të ketë 81 fëmijë. Çdo njëri do të jetë për nga një anëtar të parlamentit tonë. Do të shërbejë si asistent personal për secilin, duke mbajtur shënim çdo zhvillim dhe duke informuar në kohë reale. Fëmijët do të trashëgojnë dijen e ‘nënës së tyre’ për legjislacionin e Bashkimit Evropian,” u shpreh Rama.
Ai shtoi me ironi: “Ne kemi kafe më të mirë se në Gjermani. Por nëse shkon për kafe dhe harron të kthehesh në punë, ky fëmijë (asistent AI) do të të informojë për gjithçka që ka ndodhur dhe, nëse është përmendur emri yt, do të të njoftojë për të reaguar.”
Megjithatë, nuk është bërë e qartë pse do të jenë vetëm 81 asistentë digjitalë dhe jo 140 — sa është numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend. Në fakt, nga Partia Socialiste është propozuar më herët ulja e numrit të deputetëve, ndaj kjo shifër mund të lidhet me atë iniciativë.




