Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 32”.
Transportonin 23 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 1 automjet dhe 2 aparate celulare.
Njoftimi i policise:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard 32”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit B. T., 52 vjeç, banues në Lushnje dhe K. Sh., 44 vjeçe, banues në Durrës.
Në hyrje të qytetit Tepelenë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin furgon me drejtues shtetasin B. T. dhe pasagjere shtetasen K. Sh., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po transportonin me këtë furgon, 23 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti dhe 2 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.