Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërmerr veprime ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga frika se mund të humbasë Bashkinë e kryeqytetit në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te transferimi i Veliajt dhe pretendimet për kërcënime ndaj tij, duke e cilësuar ndërhyrjen e fundit si të kryer në kundërshtim me procedurat. Sipas kreut të PD-së, veprimet ndaj kryebashkiakut lidhen me shqetësimin e Ramës për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme në Tiranë.
Berisha bëri gjithashtu thirrje për bashkimin e forcave opozitare në zgjedhjet vendore, përmes një koalicioni të gjerë dhe kandidatësh të përbashkët në të gjithë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin.
Ai pranoi se, sipas qëndrimit të tij, Edi Rama nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira, por theksoi se bashkëpunimi mes forcave opozitare në zgjedhje, protesta dhe forma të tjera kundërshtimi është rruga për t’u përballur me qeverinë.
“Nuk ka dyshim se ai, me ndërhyrjen e fundit, me transferimin e tij në kundërshtim me të gjitha procedurat, është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt ndaj tij nga frika se do të humbasë Bashkinë e Tiranës. Në qoftë se analizojmë këtë situatë, PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqeje të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Tiranën”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse beson se kryeministri Rama do të garantojë zgjedhje të lira, kreu i PD-së u përgjigj negativisht, duke përsëritur se bashkimi i opozitës është i domosdoshëm.
“Ju mund të më pyesni prapë, a bën Edi Rama zgjedhje? Jo, Edi Rama nuk bën zgjedhje dhe cilido që beson se Edi Rama bën zgjedhje, mashtron veten e tij, por bashkimi i të gjitha forcave opozitare në qëndrimet qoftë zgjedhore, qoftë protestat, qoftë në çdo aspekt, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët apo diktatorët autoritarë”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se PD-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, shoqatat dhe faktorët e tjerë që, sipas tij, e konsiderojnë largimin e Ramës si objektiv të përbashkët, si në betejën elektorale, ashtu edhe në protesta.




