Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Rajonin Vlorë–Gjirokastër ka vënë në pranga një punonjës policie, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
I arrestuari është inspektori H. I., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili akuzohet për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, pasi një qytetar telefonoi sallën operative duke denoncuar sjelljen jo etike të dy punonjësve të policisë që e kishin ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë.
Pas verifikimeve, Agjencia kreu testin e alkoolit ndaj efektivit H. I., i cili rezultoi pozitiv me 0.82 mg/l.
Ndërkohë, për punonjësin tjetër të patrullës, E. A., është nisur procedimi disiplinor, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.




