Përse Rama ka të drejtë të irritohet me kryetarët e bashkive

Jugulajm.net
5 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Iniciativa dhe veprimi i Kryeministrit Edi Rama për të vënë në efiçencë dhe përshpejtuar zbatimin e ligjeve që lidhen me administrimin e tokës bujqësore, pyjore e të kullotave është jo vetëm i drejtë, por edhe i domosdoshme. Ajo duhet lexuar dhe kuptuar, si një përpjekje për të rikthyer rendin, ligjin dhe funksionimin e shtetit në territor, aty ku shpesh mbizotëron kaosi, papërgjegjësia dhe mosveprimi i pushtetit vendor.

Në fakt, Rama ka çdo arsye të irritohet me kryetarët e bashkive. Jo pse i mungon durimi, por sepse atyre jo vetëm u mungon vizioni, por përgjegjësia dhe ndjenja e detyrës. Shumë prej tyre e kanë kuptuar administrimin e bashkisë vetëm si artin e shpërndarjes së buxhetit, jo të menaxhimit të pasurive e resurseve të territorit. Të harxhojnë, jo të krijojnë. Të ndajnë, jo të ndërtojnë.

Ndërkohë, qytetarët, qofshin këta në fshat, apo qytet, të majtë apo të djathtë, punëtor apo pensionist, punonjës privat apo në shtet, kërkojnë me të drejtë paga më të larta, pensione më të denja, kushte më të mira jetese, shërbim shëndetësor më cilësor, rrugë, ujë e dritë. Kërkojmë gjithçka dhe mirë bëjmë që kërkojmë, por harrojmë detyrimet që kemi ndaj shtetit, si qytetar apo në çdo status qofshim. Kemi dëshirë të kemi prona e biznese, por jo të paguajmë taksa. Kemi qejf të kërkojmë, por jo të kontribuojmë. Dhe, fatkeqësisht, kjo filozofi “lypësie” është ngjitur edhe në shumë bashki, sidomos krerët e tyre.

Kryetarët e bashkive shpesh bëhen pengesë, jo urë lidhëse. Mendojnë më shumë për pesë votues të pakënaqur sesa për gjithë komunitetin. Nuk reagojnë ndaj nevojave të qytetarëve, as ndaj mundësive të investitorëve. Disa madje krijojnë barriera artificiale, vetëm që të mos prishin rehatin e tyre. Si mund ta kuptojnë, pra, vizionin e Ramës, kur nuk kanë as idenë e detyrës që mbajnë si “qytetarë të parë” të bashkisë?
Në thelb, ajo që po përpiqet të bëjë Kryeministri është një korrigjim historik: rregullimi i marrëdhënies së shtetit dhe qytetarëve me tokën, me pronën, me ligjin.
Ligji 7501 u dha njerëzve tokën për ta punuar, për të jetuar prej saj, jo për ta braktisur apo për ta kthyer në pronë të ngrirë. Sot, një pjesë e mirë e këtyre tokave janë lënë djerrë, ndërsa pronarët kërkojnë ndihma nga shteti për të jetuar. Edhe më keq, toka pyjore e kullotat janë zaptuar e pushtuar, shpesh në mënyrë të paligjshme. Në shumë fshatra të braktisur, disa individë kanë marrë në dorë gjithçka: Ku ndalojnë të tjerët të kthehen, pengojnë investitorët. Ata bëjnë ligjin e tyre mbi tokën e shtetit. Këtu hesht dhe shpesh edhe pajtohet administrata , institucionet vendore, por edhe policia vendore e shtetit.

Në këtë degradim të marrëdhënies me tokën dhe administrimin e saj ka pasur e gjithë klasa e politike . Në mënyrë të veçantë ka pasur edhe qasja qeveris demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha, në fillesat e ekonomisë së tregut , pas shpërbërjes së pronës kolektive. Ishte ai që lejoi shitjen dhe tjetërsimin e tokës bujqësore, e cila ndalohej me ligj. Toka u dha dhe duhej të ishte burim prodhimi, u kthye në mall tregu pa qenë e tillë. Me atë politikë nisi ndarja e madhe midis pronës bujqësore dhe pronës urbane, ku e para u zhvesh nga çdo funksion ekonomik dhe u bë pjesë e ndërtimit pa kriter, spekulimit dhe betonizimit. Sot, burimi më i madh i të ardhurave që një vend mund të ketë, prodhimi bujqësor. pothuajse nuk ekziston më.
Toka bujqësore mund të jetë pronë jote, por ajo nuk është njësoj si shtëpia apo parcela urbane. Ajo është pasuri kombëtare në përdorim privat. Ka nevojë për kontribut, për punë, për prodhim. Dhe kur ky kontribut mungon, kur toka braktiset, kur nuk paguhen taksat dhe detyrimet, atëherë ajo duhet t’i kthehet shtetit. Shteti nuk mund të qëndrojë spektator përballë shkatërrimit të vetvetes.
Prandaj ndërhyrja e Ramës nuk është zemërim personal është detyrë shtetërore. Ai po përpiqet të vendosë themelet e shtetit modern shqiptar, që fillojnë aty ku nis çdo qytetërim: te prona, ligji dhe ndjenja e përbashkët e përgjegjësisë.
Në dukje mund të duket se po prek interesa, po trazon rehatinë e ndokujt, po i “bën keq” dikujt. Në të vërtetë, po i bën mirë shtetit. Sepse një shtet që nuk mbron tokën e vet, nuk mbron as të ardhmen e vet.

Share This Article