Deri më sot domatja është shërbyer në tryeza si sallatë, apo perime e veçantë në shërbim të organizmit dhe larmisë së përdorimit në asortimente larg disiplinës së ëmbëlsirave. Por sot në Përmet, domatja serviret dhe si ëmbëlsirë.
Tabunë e ka thyer punishtja “BONJO”, një prej njësive me traditë të hershme në prodhimin e glikove të famshme të Përmetit.
Iniciativa ka qenë e Liri Bonjos, administratores së kësaj njësie të prodhimit të glikove, e cila guxoi që të thyente tabunë se domatja është vetëm perime, duke e kthyer atë në një produkt që mund të serviret dhe si gliko, madje me një recetë që pakush mund t’a besojë.
Fillimisht në fokusin e gatimit të domates për t’a shndërruar në gliko, janë marrë domatinat, pasi janë dhe më praktike për t’u gatuar. Praktika e gatmit të tyre për gliko, është pothuajse e njëjtë si ato të arrave, kumbullave apo dhe kajsive.
Por recetën sekrete Liria, e cila qëndron larg ekspozimit nga kamera, nuk dëshiron t’a ndajë me askënd, madje as me Marjanthin, mjeshtren e përgatitjes së glikove në këtë punishte dhe një ndër mjeshtret me jetëgjatë në qytetin e Përmetit.
Vetë Marjanthi ende nuk e ka zbuluar sekretin që domatet shndërrohen gliko pa rënë në sy dhe eleminuar aciditetin që ajo ka, pasi Liria kërkon pak sekonda vetmi që të përgatisë recetën, që i kthen domatet në gliko e më pas proçesi vijon normalisht, qysh nga nisja e deri në finalizimin e saj në gliko.
Vetë Marjanthi shprehet se nisja e prodhimit të glikosë me domate është mirëpritur nga konsumatorët, si një risi që të çon drejt suksesit.
Punishtja në fjalë, përveç glikosë me domate, pak më herët ka guxuar që të prodhojë dhe glikotë me panxhar të athët, apo dhe gliko me patëllxhan, duke sfiduar në këtë mënyrë punishtet e tjera në Përmet, që ngelen tek gatimi tradicional i ëmbëlsirave nga frutat. Por Punishtja “BONJO”, është e vetmja që mbron traditën dhe i mëshon asaj duke sfiduar teknologjinë moderne.



