Është vetëdorëzuar në Policinë e Gjirokastrës, Kamber Sulçaj, vrasësi i dyshuar i biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, në Salari të Tepelenës. Kamber Sulçaj është shoqëruar nga avokati i tij.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 26 shtatorit teksa Edoardo Sarchi ndodhej në shtëpinë e pushimit të mikut të tij në Salari, Eqerem Braçit. Këta u nisën për t’i ardhur në ndihmë dy djemve të Braçit, Gazmend dhe Daniel, të cilët pasi kishin dalë për gjueti, makina i kishte lënë në mes të rrugës.
Gjatë rrugës ata u përballën me një automjet që drejtohej nga Kamber Sulçaj, i cili kishte ndezur dritat e gjata. Aty mendohet të ketë nisur një debat që i ka nxjerrë palët nga makinat e tyre, pasi dritat e gjata nuk po fikeshin duke penguar shikimin.
Sulçaj nuk e ka lënë me kaq dhe duke i ndjekur nga pas teksa italiani dhe miku i tij po i shkonin në ndihmë djemve që kishin dalë për gjueti, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinave të ndaluara.
Një plumb rikoshet me asfaltin, kapi në arterien kryesore në këmbë, dhe la të pajetë Edoardo Sarchin, i cili mendohet se fshihej pas makinës.




