Një furgon që transportonte turistë polakë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës nacionale Lushnje–Berat, në afërsi të fshatit Çiflik.
Si pasojë e aksidentit, katër turistë janë plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjes, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, drejtuesi i furgonit raportohet të jetë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke bërë që furgoni të përfundonte jashtë rrugës.




