Argjentina dhe Franca ndeshen me njëra-tjetrën në finalen e madhe të “Katar 2022”, sot në orën 16:00, në stadiumin “Lusail”.
Mesi me shokë do të kërkojnë të rikthejnë dhe njëherë në Buenos Aires trofeun e artë, të cilëve i mungon që nga viti i largët 1986, kur Maradona e ngriti në qiellin e Meksikës.
Nga ana tjetër, “Gjelat” mbeten kampion në fuqi dhe kërkojnë ta ruajnë atë dhe për 4 vite të tjera.
Tekniku i kombëtares “albiceleste”, Lionel Scaloni pritet që t’i besojë që nga minuta e parë anësorit, Angel Di Maria, i cili duket se është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi.
Scaloni mendohet se do të zgjedhë formacionin 4-3-3, me Emiliano Martinez në portë, Molina, Romero, Otamendi e Acuna, nga e djathta në të majtë të mbrojtjes, Rodrigo De Paul, Enzo Fernandez dhe Alexis Mac Allister në mesfushë dhe 3-shja potente në sulm, Angel Di Maria, Julian Alvarez dhe kapiteni Lionel Messi.
Në krahun tjetër, trajneri i “gjelave” është në pritje të gjendjes përfundimtare të lojtarëve të tij, në prag të ndeshjes. Deri më tani Deschamps pritet të vendosë të tijët në lojë, me formacionin 4-2-3-1.
Në portë do të vendoset kapiteni Hugo Lloris. Mbrojtja e mbushur me emra kualitativ përbëhet nga Kounde, Varane, Upamecano dhe Theo Hernandez, të vendosur nga e djathta në të majtë. Për pjesën defensive të mesfushës do të kujdesen Rabiot dhe Tchouameni, përpara tyre vendosen Demble, Griezmann dhe Mbappe, të cilët do të suportojnë sulmuesin, Olivier Giroud, i cili momentalisht ende nuk e ka të qartë nëse do të luajë apo jo.