Saranda në “shtetrrethim”, zbarkojnë ”RENEA” dhe ”FNSH”, ja arsyeja…

Jugulajm.net
2 Min Read

Forcat ”RENEA” dhe një grup i repartit të ”FNSH” kanë zbarkuar në qytetin e Sarandës dhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, duke kryer kontrolle të shumta me qëllim gjetjen e provave që mund të çojnë në zbulimin e autorëve të vrasjes së 58-vjeçarit Isuf Jaçaj.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista e vetme në të cilën po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje, për shkak se i biri i viktimës ka ndihmuar autorin e plagosjes së dy personave më 17 korrik në Sarandë. 31-vjeçari Klaus Jaçaj u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës mbrëmjen e 23 korrikut, dy ditë pasi një person i maskuar i shpërtheu me eksploziv automjetin e tij tip “BMW”, që ndodhej i parkuar pranë banesës, ngjarje kjo ende e pazbardhur.

Prokuroria ngriti ndaj tij akuzat “përkrahje e autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi” dhe e la në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, sipas ekspertëve të xhenios, dyshohet se janë përdorur rreth 800 gram eksploziv, i cili ishte vendosur poshtë mjetit tip “Toyota” të Isuf Jaçaj. Shpërthimi dyshohet të jetë kryer me telekomandë në distancë. Policia po has vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi pranë tij nuk ka kamera sigurie nëpër biznese.

Share This Article