Policia ka arrestuar një 31-vjeçar nga Kurbini. Ai u kap me 41 kg e 700 gram heroinë në 62 pako.

Ai drejtonte automjetin tip “Benz” me të cilin po transportohej lënda narkotike, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.

NJOFTIMI ZYRTAR

Seksioni i Hetimit të Narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se një sasi e madhe lënde narkotike heroinë po transportohej me një “Benz”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Fusha e kuqe”.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, u arrestua A. P., 31 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, R.G., banues në Sukth.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Pasi kanë vijuar ndjekjen, në afërsi të rrethrrotullimit të Aeroportit, kanë bërë ndalimin e automjetit të dyshuar.

Gjatë kontrollit në automjetin “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë narkotike heroinë, që u sekuestruan si provë materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës.

Nga specialistët për hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.