Qeveria shqiptare ka vendosur që transporti publik të mos jetë më përgjegjësi e bashkive, duke kaluar nën menaxhimin e shtetit. Nga shtatori i vitit 2026, autobusët, hapësirat e parkimit dhe bileta, që pritet të jenë elektronike, do të administrohen nga një strukturë qendrore shtetërore.
Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e shoqërisë “MobAl”, e cila do të ketë 100% kapital shtetëror. Sipas vendimit, “MobAl” do të operojë transportin publik rrugor të udhëtarëve, duke përfshirë linjat urbane dhe ato turistike, si dhe transportin e nxënësve dhe punonjësve të arsimit. Shoqëria gjithashtu do të menaxhojë arkëtimin e tarifave të biletave, si në formë fizike, ashtu edhe në format elektronike, dhe do të ofrojë platforma teknologjike për informacion dhe monitorim të shërbimeve të transportit.
Shoqëria do të funksionojë si strukturë publike nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të sigurohet nga buxheti i ministrisë, ndërsa më pas operimi i saj do të mbështetet kryesisht në të ardhurat vetjake.
Të ardhurat e “MobAl” do të vijnë nga arkëtimi i biletave, tarifat vjetore nga operatorët e transportit, si dhe nga aktivitete të tjera të ligjshme, përfshirë grantet, subvencionet dhe huatë. Përveç shërbimeve të transportit publik, shoqëria mund të ofrojë edhe shërbime të tjera për subjektet publike dhe private, brenda fushës së saj të veprimtarisë dhe sipas statutit.




