Kthimi nga SHBA, flet Berisha: Rama u tmerrua, sarajet e Surrelit iu shndërruan në bunker

Jugulajm.net
3 Min Read

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar konferencën e parë për mediat pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane.

Berisha e krahasoi vizitën e fundit në SHBA me udhëtimin e tij të parë, 35 vite më parë, duke thënë se në të dyja rastet kishte udhëtuar si kryetar i opozitës dhe me synimin për të kërkuar mbështetjen amerikane.

Sipas Berishës, në vitin 1991 qëllimi ishte përmbysja e diktaturës komuniste, ndërsa sot misioni është përmbysja e asaj që ai e cilësoi si “diktaturë autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”.

“Në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg, dhe po të doni thoni vite dritë larg udhëtimit tim të parë, i kishte tre ngjashmëri me të. Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim, unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare në vend. Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim unë shkova me një qëllim kryesor, të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës sonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, dhe kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së foli edhe për reagimet ndaj vizitës së tij, duke i krahasuar ato me sulmet që, sipas tij, kishte marrë bashkë me Gramoz Pashkon gjatë vizitës së parë në SHBA, në kuadër të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Berisha pretendoi se këtë herë sulmet kanë qenë edhe më të shumta, duke ia atribuar ato “makinerisë mediatike” të pushtetit. Ai tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama është përfshirë nga paniku për shkak të vizitës së tij në SHBA.

“Në atë udhëtim ku unë me mikun tim të ndjerë, Gramoz Pashko, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, thashethemi dhe i tërë establishmenti i thashethemit u tërbuan kundër nesh. Ata lëshuan ndaj meje e Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës etj., por kësaj radhe nuk ishin më të pakta. E vërteta është se në makondën e kolonel Buendias, për shkak të shumëllojshmërisë së mediave ishin edhe më të shumta. Edi Rama u tmerrua! Atij iu shndërruan sarajet e Surrelit në një bunker terrorizues! Dhe non stop lëshonte porosi tek puthadorët e tij, por unë nuk do ndalem në këtë kapitull sepse kjo do të jetë subjekt i një vepre satirike, kam filluar ta shkruaj”, u shpreh Berisha.

Ai tha se qëllimi i tij politik mbetet i pandryshuar, duke e paraqitur përmbysjen e qeverisjes së Edi Ramës si misionin kryesor të opozitës.

Share This Article