Nafta në Shqipëri 45% më e shtrenjtë se në rajon, ja shkaku…

Jugulajm.net
2 Min Read

Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të jetë ndjeshëm më i lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Një litër naftë në vendin tonë kushton rreth 2.4 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë karburanti tregtohet mesatarisht me rreth 1.7 euro për litër.

Diferenca mes çmimeve arrin deri në 45 për qind, ndërsa në krahasim me Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, nafta në Shqipëri kushton rreth 20 deri në 30 për qind më shumë.

Çmimi i lartë i karburanteve shihet si një barrë jo vetëm për konsumatorët, por edhe për bizneset, pasi kostoja e naftës reflektohet drejtpërdrejt në transport, prodhim dhe çmimet e produkteve.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në çmimin final të karburantit në Shqipëri është barra fiskale.

Përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20 për qind, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa të tjera: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

Këto elemente shtojnë ndjeshëm koston përfundimtare që konsumatori paguan në pikën e shitjes.

Vendet e tjera të rajonit, sipas tij, kanë përdorur instrumente fiskale për të amortizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve, ndërsa një alternativë e tillë duhet të diskutohet edhe në Shqipëri.Ndërsa çmimi i naftës ka arritur në nivele të larta, vendet e tjera të rajonit kanë ndërmarrë masa të reja fiskale për të zbutur efektin te konsumatorët dhe bizneset.

Në Shqipëri, ndërkohë, nuk janë ndërmarrë masa të reja për amortizimin e rritjes së çmimeve.

Madje, nuk është më në fuqi as Akti Normativ që parashikonte një ulje të përkohshme të akcizës.

Shqipëria renditet e para në rajon, e gjashta në Europë dhe e nënta në botë për çmimin e lartë të naftës.

Në rang global, ndër vendet ku karburanti është më i shtrenjtë renditet Hong Kongu, ku një litër naftë kushton rreth 3 dollarë.

Në anën tjetër të renditjes ndodhet Venezuela, ku nafta shitet me rreth 4 cent për litër, duke pasqyruar diferenca të mëdha mes vendeve në politikat fiskale, subvencionet dhe strukturën e tregut të karburanteve.

Share This Article