EMRI-FOTO/ Noteres i sekuestrohen pasuri me vlerë 3 milionë euro, 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare

Jugulajm.net
3 Min Read

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e noteres Sanja Telhallari dhe familjarëve të saj, pas hetimeve që zbuluan një mospërputhje të thellë mes të ardhurave të deklaruara dhe investimeve të kryera gjatë viteve 2013–2024.

Në kuadër të këtij hetimi, janë sekuestruar 13 pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi, një vilë në kompleksin luksoz “Rolling Hills”, si dhe makina luksoze dhe llogari bankare, të gjitha me burime të pajustifikuara ligjërisht.

Sipas Prokurorisë, një pjesë e këtyre pasurive dyshohet se janë financuar me para që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i ish-bashkëshortit të saj, K.P., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për “shfrytëzim prostitucioni” dhe vepra të tjera penale, me një dënim deri në 21 vjet burgim.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria Tiranë sekuestron pasuritë e noteres Sanja Telhallari. Prona, dyqane, poste parkimi, vilë e makina të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e aktivitetit të saj

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases Sanja Telhallari me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja Sanja Telhallari ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.

Share This Article