Identifikohet dhe arrestohet autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë), ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, bazuar në inteligjencën policore, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për identifikimin e autorit të keqtrajtimit të shpendit shqiponjë, ditën e djeshme, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e shtetasit N. A., 35 vjeç, banues në Përmet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 sorkadhe të cilat ky shtetas ka deklaruar se i ka vrarë me armë gjahu (çifte), dy ditë më parë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. A., pasi dyshohet të jetë autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.