LAJM I FUNDIT/Italiani i vrarë dje në Tepelenë, është qëlluar me automatik, zbardhet dëshmia e personave të shoqëruar dje

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga hetimet e deritashme për rastin e vrasjes së Edoardo Sarchit biznesmenit italian mëngjesin e ditës së djeshme, konfirmohet se bëhet fjalë jo për vrasje nga pakujdesia, as për vetvrasje nga pakujdesia.

Fjala është për një atentat të kryer nga një person i panjohur ende nga Policia e Gjirokastrës.

Ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes, konfirmon se italiani nën shoqërinë e Eqrem Braçit dhe dy djemve të tij, ishin duke qarkulluar nga drejtimi Nivicë në atë të Salarisë.

Nga dëshmitë e bëra përgjatë ditës së djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, është ndërtuar pak a shumë dhe skena e krimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë.

Sipas dëshmive të katër personave që u morën në cilësinë e dëshmitarit, mësohet se ata kanë qenë duke udhëtuar së bashku me dy automjetet fuoristradë në aksin e sipërpërmendur. Fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna, të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip “Land Rover”, në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar. Pasi kanë qëndruar për 2 minuta është dëgjuar një breshëri tjetër ndoshta në ajër.

Nuk kaloi minuti dhe përpara rrugës në një distancë prej 10-15 metrash shfaqet një person me armë në dorë automatik i cili shkreh armën në drejtim të gomave të “Land Roverit”, duke mos thënë asnjë fjalë. Në këtë moment biznesmeni italian dhe personat e tjerë në bord fshihen pas mjetit shoqëruar me britmat e frikës. Fillimisht u ça goma e parme e mjetit, ndërsa shkrehja e dytë e armës automatike nga personi misterioz shkaktoi plagosjen e biznesmenit italian. Mendohet se ky i fundit është lënduar nga një plumb rikoshetë, të cilën e kapi në pjesën e femurit të këmbës së djathtë.

Pas shkrehes së armës nga agresori misterioz, biznesmeni italian është ankuar për plagën që mori. Hemoragjia ka qenë e madhe që në momentin e parë, ndërkohë që djemtë e Eqrem Braçit lajmërojnë policinë për atë çfarë kishte ndodhur, që një person misterioz i pati qëlluar me breshëri arme në vendin e quajtur Dilan.

Policia dhe autoambulanca kanë ardhur në vendngjarje, duke transportuar trupin e pajetë të italianit dhe shoqëruar në Polici Eqrem, Gazmend dhe Daniel Braçin, si dhe Armir Hitoveizin bari nga fshati Nivicë në cilësinë e dëshmitarit.

Mësohet se katër personat që kanë dhënë dëshmi dje, mund të rithirren në ditët pasuese në varësi të dinamikës së ngjarjes.

Policia e Gjirokastrës ndërkohë ka ngritur katër postblloqe në zonën e Kurveleshit për të bërë të mundur gjetjen e autorit dhe armën e krimit.

Deri më tani, janë angazhuar dy grupe specialistësh, që po krehin zonën që nga vendi i ngjarjes e deri në periferi të fshatit Gusmar në veri e në jug deri në fshatin Dukaj.

Dyshimet më të mëdha janë që autori i vrasjes të jetë larguar në drejtimin perëndimor drejt Vlorës.

Share This Article