Dy inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv në ushtrimin e detyrës.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inspektorin O. J. dhe “arrest në shtëpi” për ish-inspektorin L. S. Hetimet kanë zbuluar se të dy, gjatë një inspektimi në një biznes privat në Korçë më 1 nëntor 2021, kanë marrë shumat 900.000 lekë dhe 10.000 dollarë nga pronari i subjektit, me iniciale J. S.
Sipas SPAK, pagesat janë bërë për të shmangur vendosjen e masave administrative, pasi biznesi nuk dispononte dokumentacionin tekniko-ligjor dhe licencën përkatëse. Në total, inspektorët dyshohet se kanë përfituar rreth 2 milionë lekë.
Procedimi penal ndaj tyre është regjistruar në mars 2025, mbi bazën e një çështjeje të nisur më herët nga Prokuroria e Korçës dhe më pas dërguar për kompetencë në SPAK. Hetimet janë kryer me metoda speciale nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).
Masat e sigurisë u ekzekutuan më 27 shtator 2025 nga Policia e Shtetit, ndërsa dosja vijon të hetohet për korrupsion në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 dhe 259 të Kodit Penal.




