Gjatë fundjavës në doganën e Kakavijës po regjistrohet një fluks i shtuar në sportelet e daljes nga Shqipëria, ndërsa rikthehen në shtetin grek emigrantët e fundit që kaluan pushimet e verës në vendlindje.
Sipas Policisë Kufitare në Kakavijë janë përpunuar 9.527 shtetas në hyrje – dalje, nga të cilët 3.841 në hyrje dhe 5.686 në dalje, si dhe 3.107 mjete në hyrje – dalje, nga të cilat 1.265 në hyrje dhe 1.842 në dalje.
Pjesë e fluksit të lëvizjes në kufi janë edhe turistët nga vende të ndryshme.
Policia Kufitare punon me 3 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërkohë që edhe pala greke ka përshpejtuar procedurat në sportelet e kontrollit të dokumenteve.
Përgjatë verës dogana e Kakavijës u përball me një fluks të lartë të këmbësorëve dhe automjeteve që lëvizën në të dyja anët e kufirit me Greqinë.




