Policia godet peshkimin e paligjshëm, procedohen 3 persona

Jugulajm.net
2 Min Read

Është evidentuar dhe goditur një rast i peshkimit të ndaluar në zonën e Palasës këtë të hënë.

Si pasojë, procedohen penalisht 3 shtetas.

Gjithashtu është sekuestruar mjeti lundrues tip gomone, si dhe pajisje të ndryshme të përdorura për këtë veprimtari të paligjshme.

“Strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara në zonën ujore për evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ushtrimit të peshkimit të ndaluar në  Palasë.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Vlorë referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Peshkimi i ndaluar”, në ngarkim të shtetasve:

  • A. B., 42 vjeç, banues në Himarë,
  • K. B., 35 vjeç, banues në Himarë.

Si dhe, për veprat penale “Peshkimi i ndaluar” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, në ngarkim të shtetasit:

  • M. H., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë verifikimeve u prezantua si punonjës në një detyrë shtetërore, e cila nuk rezultoi e vërtetë.

Të tre shtetasit janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke peshkuar në mënyrë të paligjshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti lundrues tip gomone dhe pajisje të ndryshme të përdorura për peshkim.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar në mbrojtjen e burimeve natyrore dhe mjedisit detar, si dhe apelon qytetarët të mos ushtrojnë veprimtari të paligjshme që dëmtojnë ekosistemin dhe bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Share This Article