Studiuesi Auron Tare, ka ngritur shqetësimin për ndërtimet pa kriter brenda një pjese të zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në llogarinë e tij në “Facebook”, Tare, i cili është dhe një ndër aktivistët më të zëshëm në vendin tonë dhe që përpiqet të mbrojë çdo pëllëmbë tokë shqiptare, ka publikuar pamje nga kantieri i hapur në Butrint.
Sipas Tares, kjo zonë gjatë viteve 1990 ishte e destinuar për ndërtime nga qeveria Berisha 1, por u fut nën mbrojtje falë përpjekjeve të Fondacionit Butrinti dhe asokohe ministres së Kulturës, Arta Dade e më pas nga Edi Rama si dhe kryeministri i kohës Fatos Nano dhe presidenti, Rexhep Mejdani.
Ky vendi atëhere u cilësua si një nga arritjet më të rëndësishme të Partisë Socialiste pas vitit 1997, por mesa duket vitet e fundit ky vendim është sfumuar.
“Pamjet e sotme flasin vetë,” shprehet Tare, duke ironizuar kështu se nën drejtimin e ministres Mirela Kumbaro dhe bashkëpunëtorëve të saj, kjo zonë është duke u “përdhosur” nga betoni.
Pamjet e publikuara tregojnë një kantier ndërtimi me skela, betoniere dhe punëtorë, ndërsa është duke u ndërtuar një kompleks i madh pranë vijës bregdetare, në një zonë që historikisht ka pasur status të mbrojtur.
“Kjo është pamja sot e një pjesë të zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjatë viteve 90 e destinuar për ndërtime nga Qeveria Berisha 1, u fut në mbrojtje falë përpjekjeve të Fondacionit Butrinti dhe Ministres së Kulturës Arta Dade e më pas Edi Rama, si dhe KM Fatos Nano dhe Presidenti Mejdani. Ishte nje nga veprat e mëdha të Partisë Socialiste të post 97së. Sot falë punës të përkushtësuese të Ministres Kumbaro &Co pamjet flasin vetë”, shkruan Tare.




