Media mes pushtetit dhe tregut, fatkeqësisht një bilanc i hidhur

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Ndoshta nuk kemi as qasjen, as sjelljen më të mirë të mundshme të medias dhe pushtetit mediatik. Historia, sidomos ajo e medias vizive dhe print, ka treguar se edhe pushteti i medias nuk është i përjetshëm dhe se një ditë ai vjen përballë kostos së vet. Kjo sidomos kur e ideonë, precepton dhe me objektiv që rolin e tij ta vendosësh në shërbim të pushtetit ekzekutiv. E aq më keq, duam apo nuk dum, por kur pranojmë se kemi një klasë politike që jo vetëm nuk e respekton pushtetin e medias, por e poshtëron dhe e abuzon, ashtu siç shpërdoron çdo mundësi e çdo hapësirë të pushtetit ekzekutiv.
Absoluyisht që në këtë histori, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës. Në këto kushte që përjetojmë jo vetëm ne pjestarët e medias, një pjesë jo e vogël e fajit i takon edhe vetë medias dhe pronarëve të saj. Në vend që të ndërtonim media në funksion të misionit të tyre: informimit, transparencës dhe kontrollit të pushtetit, shumë herë ndërtuam media nga njerëz që e panë atë thjesht si mjet për të rritur bizneset e tyre private. Sot nuk kuptohet më nëse një licencë për media merret për të bërë gazetari apo për të ndërtuar pallate, gradaçela, resorte e monopole, me sens të çdo mundësie tjetër, por jo për gazetari.
Ky “progres” dhe regres mediatik njëkohësisht nuk dihet kujt i ka pëlqyer më shumë: klasës politike apo pronësisë mediatike. Po dihet mirë kush ka humbur më shumë: Ai është qytetari shqiptar, i cili ka humbur nga të dy anët e medaljes: sepse nuk ka as media të lira dhe të pavarura, as një klasë politike që meriton dhe që respekton këto vlera.
Mediat shqiptare kanë humbur jo vetëm rolin dhe qëllimin e tyre, por edhe dinjitetin. Pronarët e tyre kanë humbur prestigjin, personalitetin dhe qytetarinë. Shumë prej tyre, edhe nga këndvështrimi i biznesit, janë më keq se kur filluan. Politika ua dha me një dorë, por ua mori me dy. Sot, pushteti ekzekutiv dhe klasa politike, herë e majta, herë e djathta, i kanë nën kontroll dhe i përdorin si të duan.
Rezultati? Kemi media dhe nuk kemi media. Më e keqja: nuk kemi media të lira. Edhe nëse ekziston një zë i lirë, në këtë realitet ai nuk dëgjohet. Nuk është se nuk e ndjejmë dhimbjen për dëmet që pëson një biznes mediatik nga një vendim qeverie apo nga presioni politik, por shqetësimi ynë duhet të jetë mbi frymën dhe thelbin e ekzistencës së medias: si një institucion i pavarur, që i shërben publikut, jo si një instrument biznesi apo vegël politike.
Ne që kemi qenë dhe jemi pjesë e kësaj armate, të quajtur pushtet mediatik, sot shpesh ndihemi keq, madje edhe pishman për zgjedhjen e këtij profesioni. Por koha për reagim ka ardhur. Jo për të mbrojtur pasurinë e pronarit të një media, jo thjesht për të solidarizuar me kolegët që kanë sakrifikuar jetën e tyre në këtë profesion, por për të mbrojtur atë që është themeli i gjithë kësaj: lirinë dhe pavarësinë e medias shqiptare.
Tiranë më 11.08.2025.

Share This Article