Pas gati 48 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i Arben Anamalit, kapitenit të anijes turistike që humbi jetën duke shpëtuar dy turistë të huaj në Liqenin e Shkodrës.
Operacioni i kërkimit, i cili vijoi për tre ditë me radhë pa ndërprerje, u intensifikua në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe rreth orës 05:00 trupi i tij u lokalizua dhe u nxor nga uji.
Ngjarja tragjike ndodhi kur dy turistë të rinj u futën për të notuar, por për shkak të rrymave të forta rrezikuan të mbyteshin. Kapiteni Anamali u hodh menjëherë në ujë për t’i ndihmuar dhe arriti t’i shpëtonte, duke i shtyrë drejt varkës. Por vetë nuk mundi të dalë më në breg.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, reagoi pas konfirmimit të lajmit, duke vlerësuar aktin heroik të kapitenit.
“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali.
Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.
Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira”, shkruan Benet Beci
Arben Anamali ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe punonte prej një viti si kapiten në një nga linjat turistike të liqenit, nën administrimin e Bashkisë Shkodër. Vepra e tij, ndonëse përfundoi në tragjedi, mbetet një simbol i kurajos dhe përkushtimit njerëzor.




