Kjo është Manjola Hamiti, nëna e dy fëmijëve në qytetin e Libohovës, e cila është në listën e pritjes së donacionit të një veshke.
Kalvari i vuajtjeve të saj daton më shumë se 10 vite qysh kur u konstatua me një sëmundje të rëndë në gjak e prej asaj periudhe, ka shëtitur spitalet me radhë sa në Gjirokastër, sa në Tiranë e më së fundi ka gjetur mundësinë të trajtohet në Spitalin e Janinës. Gjendja e rënduar ekonomike e familjes së saj, ka pamundësuar shërimin e plotë. Ajo jeton e vecuar nga fëmijët e saj.
Prindërit i ofruan strehën e tyre për të jetuar larg fëmijëve pasi mundësitë ekonomike të tilla janë, bashkëshorti me fëmijët në Libohovë, ndërsa Manjola tek prindërit në Gjirokastër. Borxhet për të mbajtur veten gjallë shkojnë mbi 35 mijë euro. E gjitha kjo vlerë, është shpenzuar për trajtimet e sëmundjes së inuficensës së veshkës dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese që kanë këputur ekonomikisht dhe moralisht Manjolën, bashkëshortin, fëmijët dhe prindërit.
Vetë e sëmura, shpreh vuajtjet përgjatë viteve të fundit dhe njëkohësisht edhe dëshirën për të qenë amvisë e shtëpisë t’u shërbejë fëmijëve dhe bashkëshortit. Mjeku grek që e trajton, ka rekomanduar transplant urgjent të veshkës pasi në të kundërt, komplikacionet do të jenë edhe më të mëdha. Manjola kërkon me ngulm një veshkë që të rikthehet tek normaliteti i dikurshëm.