Saranda shpëton nga Nasipët, fundi i matrapazit me pushtet që mbuloi qytetin me ndërtime pa leje

Jugulajm.net
4 Min Read

Pas një sërë denoncimesh publike dhe hetimesh mediatike, më në fund është marrë vendimi për të shkarkuar nga detyra kreun e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Sarandë, Nasip Hoxha, një emër që prej vitesh përfaqësonte jo shtetin ligjor, por modelin më të degraduar të klientelizmit, abuzimit dhe matrapazllëkut institucional.

Gjatë viteve në krye të IMT-së, Nasip Hoxha është akuzuar vazhdimisht se ka lejuar dhe në shumë raste ka mbështetur direkt ndërtimet pa leje në qytetin e Sarandës dhe zonat përreth. Me një përqendrim të frikshëm të pushtetit dhe mbështetje politike në prapaskenë, ai ka vepruar si një “feudal” i territorit, duke shpërfillur çdo ligj, plan urbanistik dhe normë të administratës publike.

Burime të shumta mediatike dhe institucionale flasin për mbi 50 procedime penale të ngritura ndër vite ndaj Nasip Hoxhës, për vepra që lidhen me shpërdorimin e detyrës, falsifikime dokumentesh, lejim ndërtimesh pa leje dhe mosveprim ndaj shkelësve të ligjit në këmbim të ryshfetit.

Në kohën e drejtimit të tij, Saranda është shndërruar në një kantier informal betoni, ku lejet ndaheshin në zyrë si trofe dhe çdo metër katror bregdeti u kthye në mall për t’u tregtuar, pa asnjë transparencë e përgjegjësi.

IMT Sarandë, që në thelb ka për detyrë të mbrojë territorin nga ndërtimet e paligjshme, u kthye nën drejtimin e Hoxhës në një instrument shkatërrimi dhe legalizimi të paligjshmërisë.

Për interesa korruptive dhe favore personale, janë lejuar me mijëra objekte pa dokumentacion, pa kushte teknike dhe shpesh në zona të mbrojtura ose në kufijtë e hapësirave publike.

Shumë investitorë të ndershëm janë përballur me pengesa, ndërsa të tjerët, të lidhur me individë politikë apo me drejtuesin e IMT-së, përfitonin “trajtimin VIP” në zyrë.

Prej kohësh, media ka pasqyruar me fakte dhe investigime shkeljet sistematike që kryheshin nga drejtuesi i IMT-së, por për vite me radhë ato heshteshin ose relativizoheshin nga struktura të ndryshme të shtetit.

Vetëm pas një vale të re denoncimesh të guximshme dhe presioni publik, duket se është ndërmarrë më në fund një veprim konkret për të ndalur këtë degradim.

Në vend të Nasip Hoxhës është emëruar Eduarto Velaj, një figurë që deri më sot gëzon reputacion të mirë në qytetin e Sarandës. Velaj është konsideruar si një individ me integritet personal dhe profesional, pa njolla në karrierën e tij dhe me një qasje më të ndershme ndaj ligjit dhe funksionit publik.

Emërimi i tij është pritur pozitivisht nga komuniteti lokal, i lodhur nga papërgjegjshmëria dhe arroganca e mëparshme. Velaj pritet të përballet me një detyrë të vështirë: të rikthejë besimin e publikut tek IMT, të ndalë hovin e ndërtimeve të paligjshme dhe të vendosë rregull aty ku për vite ka mbretëruar kaosi dhe korrupsioni.

Shkarkimi i Nasip Hoxhës nuk duhet të jetë thjesht një veprim kozmetik. Ky akt duhet të pasohet me hetim të thelluar, transparencë institucionale dhe ndëshkim të merituar për çdo shkelje ligjore që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kryer ndër vite.

Qyteti i Sarandës nuk mund të rikuperojë pasojat e një keqmenaxhimi kaq të rëndë nëse nuk jepet një mesazh i qartë: askush nuk është mbi ligjin.

Në vijim, pritet që organet kompetente të veprojnë dhe të mos mjaftohen vetëm me shkarkimin formal të Nasip Hoxhës. Duke pasur parasysh volumin e akuzave, numrin e procedimeve penale dhe dëmin publik të shkaktuar nga lejimi i mijëra ndërtimeve të paligjshme në Sarandë, arrestimi i tij shihet si një hap i pashmangshëm drejt vendosjes së drejtësisë.

Burimi:  Infront.org

Share This Article