Personi i rrëmbyer më parë në gjurmën e superstradës Lezhë-Laç, në afërsi të Shënkollit, është lënë i lirë.
Ai i ka shpëtuar pengmarrjes, pasi autorët kanë mësuar se, Policia kishte marrë dijeni për ngjarjen.
Menjëherë u ngritën pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të Lezhës, si dhe u njoftuan drejtoritë fqinje të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur lokalizimin e automjetit me tre autorët dhe personin e marrë peng.
Tre personat e identifikuar nga ana e Policisë së Lezhës si autorë të rrëmbimit, i janë trembur autoriteteve dhe kanë vëndosur ta lënë në rrugë 35-vjeçarin, Dodë Gjokën, i cili sipas Policisë së Lezhës, ndodhet në spital.
Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në vendparkimin e automjeteve të një lokali në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre shtetas kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë me automjet, shtetasin D. Gj., rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në përimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht shtetasit K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh.
Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.