EMRI-FOTO/ Prokuroria merr të pandehur ish-drejtorin e Policisë, akuzohet për…

Jugulajm.net
3 Min Read

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur ish-drejtorin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

Muça akuzohet për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike gjatë kohës së tij si drejtor IT në Policinë e Shtetit.

Aktualisht Muça ndodhet në masën arrest shtëpie, ndërsa hetimet ndaj tij nisën më 9 prill 2024 për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Menjëherë ai u shkarkua nga detyra që mbante prej drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin Ervin Muça, aktualisht me masë sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ për veprën penale ‘Hyrje e paautorizuar kompjuterike’ parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore për çështjen penale nr.5404, datë 01.09.2023, rezultoi se: i pandehuri Ervin Muça, në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshem të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.

I pandehuri Ervin Muça, ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht.

Lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin gjithashtu është regjistruar procedimi penal nr.5404/2023 është vendosur ndarja e çështjes”, njoftoi Prokuroria e Tiranës.

Organi hetues ka veçuar çështjen dhe po e heton edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, Kuvendi ngriti edhe një komision hetimor parlamentare, në të cilin dëshmoi edhe vetë Muça. PS dhe PD dolën me dy raporte të ndryshme, ndërkohë që kryetari i atij komisioni, Ervin Salianji raportin e opozitës e dorëzoi në SPAK.

Share This Article