Hapet aplikimi për provimet e maturës, ja deri kur do të jetë aktivë…

Jugulajm.net
4 Min Read

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar informoi një ditë më parë se aplikimet për “Maturën Shtetërore 2025”, për formularët A1/A1Z janë hapur dje dhe do të jenë aktive deri më datë 12 shkurt

Sipas agjencisë, formulari A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formularin A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë në Maturën Shtetërore.

Hapi i parë është plotësimi i formularit A1/ A1Z, në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet. Formularët A1/ A1Z plotësohen fillimisht “online” nëpërmjet portalit “e-Albania” dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti/kandidati.

“Maturanti/kandidati bën aplikim ‘online’ fillimisht në portalin qeveritar ‘e-Albania’ dhe më pas, në sistemin ‘E-matura’ në periudhën 3 shkurt-12 shkurt 2025. Aplikimi në sistemin ‘Ematura’ bëhet edhe sipas afateve të vendosura në QSHA”, citohet në njoftimin e AKAP. Brenda marsit do të caktohen qendrat ku do kryhen provimet, ndërsa baza e të dhënave për të gjithë maturantët do jetë gati brenda muajit prill.

Referuar kalendarit të ministrisë, gjithçka do të ketë mbaruar më 20 qershor, kur të jenë verifikuar dhe konfirmuar në sistem rezultatet e të gjithë maturantëve.

“Matura Shtetërore” është një shërbim elektronik, i cili mundëson aplikimin e formularëve A1 dhe A1Z. Formularin A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formularin A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë në Maturën Shtetërore.

PLOTËSIMI I FORMULARIT

Plotësimi i formularëve A1/A1Z bëhet dy herë. Fillimisht “online” në portalin qeveritar “e-Albania” deri në datën 12 shkurt. Në këtë portal maturantët e bëjnë vetë plotësimin duke plotësuar fillimisht formularin A1/ A1Z, ku ruhen të dhënat personale si dhe provimet të cilave do t’u nënshtrohet, ose mbarten notat në rast se ka dhënë një ose më shumë provime, për ata që plotësojnë formularin A1.

Më pas plotësimi i tyre bëhet në portalin e Maturës Shtetërore sipas një plani kalendar që pritet të publikohet nga MAS. Plotësimi i formularit A1Z bëhet në shkollat ekzistuese, ku kandidati ka bërë shkollën e mesme ose në shkollën ku e përcakton komisioni i Maturës Shtetërore. Procesi i plotësimit të formularit A1 dhe formularit A1Z nuk bëhet individualisht nga maturanti, por ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.

Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem dhe vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e formularit A1. Në pikat 1-6 maturanti në bashkëpunim me mbikëqyrësin duhet të vendosë të dhënat personale dhe disa të dhëna të shkollës. Ndërsa në pikën 7 të formularit A1, maturantët duhet të shënojnë edhe nëse do të aplikojnë për studime jashtë vendit. Disa pika të këtij formulari plotësohen vetëm nga mbikëqyrësi, nga 10-14, ku në pikën 14 shënohet gjuha e huaj që në planin mësimor të shkollës trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar, në nivelin gjuhësor B1. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti dhe mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës, ku plotësohen formularët A1.

Share This Article