Ka nisur protesta në formë sensibilizimi e opozitës para Parlamentit Europian në Strasburg.

Ndërkohë që një pjesë e kolegëve vijojnë takimet zyrtare në Parlamentin Europian, një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë nisur fushatën sensibilizuese me eurodeputetë në hyrjen e Parlamentit Europian.

Kjo është hera e parë që nga politika shqiptare zhvillohet protestë para PE.

Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë njohur kolegët e tyre europianë me faktet e arrestimit politik të kryetarit të PD dhe liderit të Opozitës Sali Berisha, duke kërkuar monitorimin nga afër të situatës dhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Me arrestimin e tij, deputetët demokratë thonë se synohet të cenohet barazia e palëve në zgjedhje.

“Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur të gjithë drejtuesit e opozitës, që Edi Rama të konkurojë me vetveten dhe të mbajë pushtet me dhunë” – shprehen deputetët demokrat.

Sipas tyre, burgosja e Berishës dhe ish-deputetit Ervin Salianji është hakmarrje politike e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës.  Ata e akuzojnë Ramën se ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.

Deputetët e PD-së, folën edhe për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgys Çyrbja, ku thanë se “Shqipëria është i vetmi vend në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS.