Mbi 2000 maturantë më pak po numërohen në çdo vit shkollor.
“Ndikon drejtpërdrejtë në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit”- shprehet mësuesja Ana Llazo.
Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se në arsimin e mesëm vjet u diplomuan 27.069 nxënës ; teksa dy vite më parë e mbyllën klasën e 12, 29.503 nxënës, duke shënuar një ulje prej 5,2 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-2022.
“Rënie drastike, e theksuar jo vetëm e maturantëve por e nxënësve në përgjithësi në shkolla. Për shembull në rastin tim, një klasë ka maksimalja 25 maturantë, ndërkohë që vite më parë ishte edhe 40 maturantë në klasë. Nëse vazhdon fenomeni kështu, mund të rrezikoj dhe vendin e punës’.
E njëjta humbje në shifra vihet re edhe në ciklin 9 vjeçar, ku kanë përfunduar provimet e lirimit vjet rreth 28 mijë nxënës nga 32 mijë që ishin në 2021. Mirëpo, numri i maturantëve është edhe më i ulët për shkak edhe se gjimnazi nuk është i detyrueshëm.
“Kushtet ekonomike që i kanë shtyrë disa të rinj të ndërpresin shkollën e të punojnë, ndoshta edhe ndryshimet demografike, ulja e lindshmërisë kanë sjell edhe një ulje të numrit të maturantëve ndër vite, por ndër kryesorët shikoj faktorin ekonomik edhe emigracionit”.
Mësuesit kërkojnë ndërhyrje në politikat arsimore për të ndalur braktisjen e shkollave si dhe emigracionin, me emergjencën për të mos përfunduar një popullsi e plakur…
“Rritja e bursave do të ishte diçka e mirë’.
Viti shkollor 2020-2021 : 31.136,
Viti shkollor 2021-2022: 29.503,
Viti shkollor 2022-2023: 27.069.