Itali, Vishkulli falenderon shqiptarët: Solidariteti dhe dashuria juaj, më treguan se nuk jam vetëm

Jugulajm.net
2 Min Read

Erjon Vishkulli, i riu që u plagos në sy gjatë një prej protestave studentore, ka shkruar një mesazh falenderimi nga shtrati i spitalit “Policlinico Gemelli – Roma”, për të gjithë shqiptarët që i janë gjendur pranë në këto ditë të vështira.

“Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.

Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua”, shkruan i riu Erjon Vishkulli.

Ai u plagos nga një plumb gome në sy dhe pasi u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, mjekët konstatuan se duhej ndërhyrje e specializuar jashtë vendit, ndaj menjëherë autoritetet shtetërore morën masa për dërgimin e tij në Romë.

28 vjeçari ju nënshtrua një ndërhyrje të specializuar në sy nga mjekët italianë dhe fatmirësisht, gjithçka shkoi me sukses dhe Erjon Vishkulli tani është në fazën e rikuperimit të shikimit. Në Tiranë, Prokuroria ka nisur hetimet për oficerin që qëlloi me pushkë.

“Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.

Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.

Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!  Mirënjohje pafund, u shtofshin Shqiptarët e mirë”, përmbyllet mesazhi i sinqertë i Erjon Vishkullit.

Share This Article