Rudina Musaku, 40-vjeçarja e cila u plagos pasditen e kësaj të diele me armë gjahu nga babai i saj 82-vjeçar është nisur drejt Spitalit të Traumës, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas burimeve për mediat mësohet se 40-vjeçarja ka plagë në bark, prandaj dhe spitali i Lushnjës e ka nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 15:15, të kësaj të diele, në lagjen “18 Tetori”, në Lushnjë.  Behar Musaku, pas një konflikti të çastit plagosi me armë gjahu vajzën e tij 40-vjeçare dhe më pas vrau veten.

Sipas familjarëve mësohet se shkak i debatit është bërë divorci i 40-vjeçares. Rudina Musaku, nënë e dy fëmijëve ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj.

Ajo punonte si kamariere në Tiranë, ndërsa fëmijët e saj, 16 dhe 17 vjeç, rrinin më shumë me ish-bashkëshortin.

Ajo kishte shkuar ditën e sotme për vizitë te i ati, mirëpo pas debateve të forta ky takim përfundoi në tragjedi. Familjarët thonë se Behar Musaku, para se ta qëllonte me çifte të bijën, i ishte drejtuar me fjalët: “Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”.