Dosja voluminoze e SPAK me bisedat e enkriptuara në aplikacionet Sky tregon edhe njëherë lidhjen e Policisë së Shtetit me krimin e organizuar.
Oltion Bistri, i arrestuar në kuadër të këtij hetimi për nxjerrje të sekretit hetimor, komunikon vazhdimisht me Pellumb Gjokën, biznesmenin që ushtronte veprimtari të lojërave të fatit në Tiranë në mënyrë të kundraligjshme.
Bistri i cili deri para disa javësh ishte shef i Njësisë Operacionale, i rrëfen gjithcka Gjokës për t’i shpëtuar biznesin. Dekonspiron aksionet e policisë dhe tregon bisedat që ai ka bërë me eprorët e tij.
Asokohe ishte Rebani Jaupaj, ish-drejtori i Policisë Tiranë dhe Ardi Veliu, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Bistri i shkruan Gjokës: S’do as Ardi se i thashë (Ardi Veliu). Bile dhe për këtë më çau ka*in. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.
Pra, Oltion Bistri që drejtonte Komisariatin Nr.2 në vitin 2019, nuk donte t’i hiqte lojërat e fatit të paligjshme Pëllumb Gjokës sepse i kishte dhënë fjalën.
Në një tjetër komunikim Bistri i shkruan Gjokës: Nesër mos e hap. Këto 2-3 ditë, mos i thuaj njeriut. Po 2-3 ditë. Nesër ka aksion nga Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty te ty do të të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur. Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet.
Pra, jemi në kushtet kur një drejtues i nivelit të lartë në Policinë e Shtetit informon shkelësit e ligjit, biznesmenin Pëllumb Gjoka në këtë rast.
Në biseda të tjera Oltion Bistri i tregon biznesmenit edhe komunikimet e tij me drejtorin e Policisë Tiranë, Rebani Jaupaj. Për rastin e kazinosë së tij sipas bisedave, thuhej të ishte i interesuar edhe Ministri i Brendshëm asokohe, Sandër Lleshi.
Bisedat në Sky të zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit dëshmojnë atë që kemi thënë prej kohësh, se kjo organizatë është bërë njësh me krimin në shumë raste.
Natyrisht jo të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, por drejtuesit e saj që e kanë tradhtuar misionin që ju ngarkon ligji. Në ditët e ardhshme pritet të zbardhen të tjera komunikime në aplikacionet e enkriptuara.