Goditet një rast i tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Transportonte 11 emigrantë, kundrejt fitimit, shpallet në kërkim 27-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 55”, shpallën në kërkim shtetasin L. L., 27 vjeç, banues në Shkodër.
Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, shtetasi L. L., duke drejtuar automjetin tip “Citroen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe në vendin e quajtur “Kthesa e Fosforit”, Memaliaj, e ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 11 emigrantë nga vendet MENA, të cilët ky shtetas do t’i transportonte në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në automjet, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit L. L. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.