Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një alarm sigurie për shtetasit amerikanë që ndodhen në Evropë, duke i këshilluar të tregojnë vigjilencë të shtuar gjatë sezonit të festave të fundvitit. Pwrmes njw njoftimi zyrtar, ambasada paralajmëron për rrezikun e mundshëm të sulmeve terroriste dhe akteve kriminale në vende ku ka grumbullime të mëdha njerëzish, si tregjet festive, qendrat tregtare, nyjet e transportit, vendet e adhurimit fetar dhe hapësirat e tjera publike.
Sipas paralajmërimit, objektiva të mundshëm mund të jenë edhe aktivitetet festive dhe zonat turistike të frekuentuara. Ambasada thekson se sulmet mund të kryhen nga organizata terroriste, por edhe nga individë që veprojnë të vetëm, me pak ose aspak paralajmërim. Qytetarëve amerikanë u kërkohet të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të shmangin situatat që mund të paraqesin rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe autoriteteve të emergjencave.
Një tjetër shqetësim i ngritur në njoftim lidhet me ndërprerjet e mundshme të transportit dhe të jetës së përditshme në vendet evropiane. Ambasada vëren se gjatë muajve të fundit janë shtuar protestat dhe grevat, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në lëvizje dhe udhëtime.
Alarm sigurie: Ambasada e SHBA-së në Tiranë, 18 nëntor 2026
Vendndodhja: Në të gjithë Evropën
Ngjarja: Me afrimin e sezonit të festave, qytetarët amerikanë këshillohen të qëndrojnë vigjilentë ndaj mjedisit përreth dhe të tregojnë kujdes për sigurinë personale, si dhe të jenë të vetëdijshëm për situatat që mund të paraqesin rrezik.
Grumbullimet e mëdha të njerëzve dhe aktivitetet publike mund të përbëjnë objektiva të mundshëm për grupet terroriste dhe kriminelët. Terroristët, përfshirë edhe individë që veprojnë të vetëm, mund të kryejnë sulme me pak ose aspak paralajmërim, duke shënjestruar vende turistike si tregjet, nyjet e transportit, qendrat tregtare, vendet e adhurimit fetar dhe hapësira të tjera publike.
Qytetarët amerikanë këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë festivaleve dhe aktiviteteve festive, si dhe në vende të tjera ku ka grumbullime të mëdha njerëzish. Vizitorët në zonat turistike të mbipopulluara dhe të frekuentuara duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mjedisit përreth dhe të ndjekin gjithmonë udhëzimet e policisë dhe të autoriteteve të emergjencave.
Ndërprerjet e udhëtimeve dhe të jetës së përditshme mbeten të mundshme në të gjithë Evropën gjatë sezonit të festave. Grevat dhe protestat janë shënuar me frekuencë më të lartë gjatë muajve të fundit. Në nëntor, kërcënime të rreme për bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve.
Amerikanët këshillohen të ndjekin lajmet lokale gjatë udhëtimeve jashtë vendit për festat, në mënyrë që të informohen mbi ngjarjet ose zhvillimet lokale që mund të shkaktojnë ndërprerje të transportit apo të jetës së përditshme.
Ne i inkurajojmë të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen jashtë vendit të regjistrohen në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (Smart Traveler Enrollment Program – STEP), për të marrë përditësimet më të fundit të sigurisë për destinacionet ku ndodhen.




