Kuvendi, Rama: Nga 1 janari hiqet taksa e qarkullimit dhe…

Jugulajm.net
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, ku ka vënë theksin te rritja ekonomike si kusht për realizimin e politikave sociale dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se nga 1 janari do të hiqet taksa e qarkullimit, ndërsa theksoi se mbështetja për pensionistët, familjet e reja dhe ulja e taksave mbeten objektiva të qeverisë.

Ai u shpreh se këto zotime nuk mund të mbështeten vetëm te dëshira, por kërkojnë të ardhura të qëndrueshme në buxhetin e shtetit, të cilat, sipas tij, sigurohen përmes zhvillimit ekonomik, sipërmarrjes dhe rritjes së të ardhurave pa shtuar barrën tatimore mbi qytetarët.

“Këto nuk janë çështje dëshirash, dëshirën për të ulur taksat e ushqimeve bazë e kemi pasur qysh në krye të herës. Uljen e barrës së karburantit e kemi pasur qysh në krye të herës. Nuk do të kemi më që nga 1 janari taksën e qarkullimit. Dëshirën për të mbështetur pensionet, për familjet e reja që ta ndërtojnë jetën këtu e kemi pasur qysh në krye të herës.

Nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, apo që bëjnë një qeveri më të mirë. Është ekonomia që mbush arkën e shtetit, që shton rrugën e qeverisë. Ndryshimi i asaj që do të bësh dhe asaj që je në gjendje të bësh është dallimi i premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që duan të përmbushen.

Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, nuk bën gjë tjetër veçse u hap gropën që vjen më pas. Ata që nuk janë këtu sot (opozita), në historinë e vendit do të mbeten si hapësit e gropave. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë europiane. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë. Kemi zgjedhur rrugën e rritjes së të ardhurave pa i rënduar me taksa, duke besuar te zhvillimi, sipërmarrja dhe drejtësia e vendimeve tona”, tha kryeministri Edi Rama.

Share This Article