Greqi, humb jetën 16-vjeçari shqiptar, u dëmtua në kokë gjatë ndeshjes së futbollit

Jugulajm.net
3 Min Read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, qytetin e Kavalës dhe botën e futbollit grek. 16-vjeçari shqiptar Asllan Gjana, futbollist i ekipit Byron Kavala B, ka ndërruar jetë pasi pësoi një dëmtim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli.

Ngjarja e rëndë ndodhi në minutat e para të takimit mes Aiantas Panagia-Prinos dhe Byron Kavala.

Vetëm në minutën e dytë të ndeshjes, gjatë një dueli për topin, Asllan Gjana doli jashtë fushës së lojës dhe goditi me forcë pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunës.

Pas përplasjes, 16-vjeçari humbi menjëherë ndjenjat, duke shkaktuar tronditje te bashkëlojtarët, futbollistët kundërshtarë dhe të gjithë personat që ndodheshin në stadium.

Ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Shërbimet e urgjencës u njoftuan dhe, për shkak të rëndesës së dëmtimit, u vendos transportimi i menjëhershëm i tij drejt Spitalit të Përgjithshëm të Kavalës.

Gjatë transportimit nga Thasos drejt Kavalës, në spital ishin nisur procedurat e nevojshme për pritjen dhe trajtimin e 16-vjeçarit. Pas ekzaminimeve, për shkak të gjendjes kritike, ai u shtrua në repartin e terapisë intensive.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve gjatë orëve të fundit për ta mbajtur në jetë, i riu shqiptar nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

“Byron Kavala humbi një nga fëmijët e tij”
Klubi i Byron Kavala ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të 16-vjeçarit.

“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja sportive e Byron Kavala i jep lamtumirën një prej fëmijëve të saj, futbollistit të Byron B, Gjana Asllan, Anit tonë, i cili u nda nga jeta kaq padrejtësisht dhe para kohe.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tij dhe ndajmë dhimbjen e tyre. I sigurojmë se nuk do të jenë vetëm në këtë sprovë tragjike.

Byron Kavala është në zi. Humbëm një nga fëmijët tanë.

Udhëtim të mbarë, djali ynë. Do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona.

Drejtuesit, trajnerët, futbollistët dhe e gjithë familja jote sportive te Byron Kavala.”

Vdekja e 16-vjeçarit Asllan Gjana ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin sportiv të Kavalës, ndërsa familjarët, miqtë, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e njihnin po përballen me një humbje të rëndë.

Share This Article