Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” pas incidentit në New York, ku u përball me protestues shqiptarë që i hodhën vezë gjatë vizitës së tij në SHBA.
Në reagimin e tij, Rama u është përgjigjur protestuesve, duke përdorur një gjuhë të ashpër, ndërsa ka deklaruar se incidentet e tilla nuk do ta ndalin në misionin e tij politik.
Ai shton se nuk do të ndalet përballë protestave dhe kritikave, duke e lidhur këtë me objektivin e integrimit europian të Shqipërisë. Rama e lidh më tej këtë pretendim me luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi, duke deklaruar se Shqipëria, sipas tij, ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën.
Reagimi i Ramës:
Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës.
Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!
Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:
Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!
Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës.




