Ministri Demo: Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës, por një nga portat e saj hyrëse

Jugulajm.net
2 Min Read

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka vënë në fokus rolin e Shqipërisë në sigurinë europiane, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët e Bashkimit Europian për përballimin e kërcënimeve të reja.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës ndërkombëtare “Siguria rajonale: Rreziqe të reja, bashkëpunim më i fortë”, e zhvilluar në Tiranë, ku morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, si dhe përfaqësues të institucioneve italiane dhe Delegacionit të BE-së.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi se pozicioni i Shqipërisë në raport me sigurinë europiane duhet parë në një këndvështrim strategjik, duke e cilësuar vendin si një prej pikave hyrëse të Europës dhe jo si një hapësirë periferike të saj.

“Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës. Është një nga portat e saj hyrëse. Dhe kjo portë duhet të jetë e sigurt!”, shkruan ministri.

Ai renditi mes sfidave kryesore të sigurisë krimin e organizuar, trafikun e paligjshëm, kërcënimet kibernetike dhe rreziqet që lidhen me zhvillimin e teknologjive të reja, duke nënvizuar se këto fenomene nuk kufizohen brenda territorit të një shteti.

Sipas kreut të Ministrisë së Brendshme, përballimi i tyre kërkon institucione më të konsoliduara, shkëmbim të shpejtë të informacionit dhe koordinim të veprimeve mes vendeve partnere.

“Shqipëria po forcon bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe europianë, me një qëllim të qartë: më shumë siguri për qytetarët, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë besim për të ardhmen. Siguria e Shqipërisë është e pandashme nga siguria e Europës”, përfundon Demo në reagimin e tij.

Share This Article