Vrau shqiptarin, prokuroria kërkon 24 vite burg për autorin italian

Jugulajm.net
2 Min Read

Prokuroria italiane ka kërkuar 24 vite burg për 45-vjeçarin Moreno Violetto, i akuzuar për vrasjen e 58-vjeçarit shqiptar Fatos Cenaj.

Sipas mediave italiane, Violetto akuzohet për vrasje me dashje, të kryer me paramendim dhe për motive të dobëta.

Megjithatë, prokuroria ka marrë në konsideratë edhe rrethanat lehtësuese, përfshirë pranimin e pjesshëm të autorësisë nga i pandehuri.

Sipas dosjes hetimore, krimi ndodhi më 8 qershor 2025, kur Fatos Cenaj po lëvizte me biçikletë në një rrugë të zonës së Fontanivës. Ai u qëllua me armë zjarri në kokë, nga një distancë e afërt, dhe ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Violetto ishte fqinj me viktimën dhe, sipas hetimeve, mes tyre kishte pasur konflikte të vazhdueshme për çështje të fqinjësisë. Prokurorja ka argumentuar se vrasja nuk ishte thjesht rezultat i një konflikti personal, por lidhej me një armiqësi më të gjerë të 45-vjeçarit ndaj fqinjëve të tij.

Pas ngjarjes, i akuzuari dyshohet se tentoi të krijonte një alibi të rreme, duke ndërhyrë në oraret e regjistruara nga kamerat e sigurisë në banesën e tij. Megjithatë, kamerat e tjera të zonës e filmuan atë duke lëvizur me biçikletë në të njëjtën rrugë ku kishte kaluar Cenaj.

Në seancën e parë gjyqësore, më 30 shtator 2026, Moreno Violetto pranoi autorësinë e vrasjes dhe kërkoi falje për krimin. Ai dorëzoi gjithashtu një çek prej 5 mijë eurosh për familjarët e viktimës.

Share This Article