Në vijim të hetimeve ndaj Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Ky veprim është pjesë e një procedimi penal që përfshin kontrolle pasurore dhe hetime mbi burimet financiare të familjes Veliaj.
Sekuestrimi i telefonit të Ajola Xoxës, synon të sigurojë prova të mundshme që lidhen me akuzat për pasuri të pajustifikuar ose transaksione të dyshimta.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se pajisja elektronike mund të përmbajë komunikime apo informacione të tjera të rëndësishme për hetimin.
Ky zhvillim vjen pas kontrolleve të kryera nga SPAK në banesën e Veliajt dhe të familjarëve të tij. Prokurori, Ols Dado, i cili po udhëheq hetimet, ka ngritur një procedim penal, që fokusohet në verifikimin e pasurive dhe çdo aktivitet financiar të dyshimtë të kryebashkiakut dhe të afërmve të tij.
Sekuestrimi i telefonit të bashkëshortes është një hap që tregon intensifikimin e hetimeve dhe përpjekjen për të siguruar prova të plota mbi veprimtarinë financiare të familjes Veliaj.