Zgjerimi i punësimit vitet e fundit sidomos pas pandemisë po udhëhiqet nga pensionistët. Largimi i të rinjve në emigracion dhe rritja e kërkesës për punë ka bërë që gjithnjë e më shumë pensionistë të angazhohen në tregun e punës edhe për të kompensuar edhe të ardhurat shumë të ulëta nga pensioni.
Të dhënat e fundit nga INSTAT, treguan se, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punë për grup-moshën mbi 65 vjeç ishte 27% në tremujorin e fundit të vitit 2025 nga 23% që ishte ky tregues në të njëjtin tremujor të vitit 2024. Pothuajse e gjithë përqindja e pensionistëve që merr pjesë në forcën e punës është punësuar. Shkalla e punësimit në grupmoshën mbi 65 vjeç rezultoi gjithashtu 27% në 3-mujorin e fundit 2025.
Në vitin 2015, shkalla mesatare e punësimit të pensionistëve ishte mesatarisht 8.6%, shifrat e vitit 2025 tregojnë një rritje me tre herë. Kjo rritje reflekton, jo vetëm nevojën ekonomike për të rritur të ardhurat në moshë të thyer, por edhe presionin që po ushtron emigracioni i të rinjve mbi tregun e punës, duke i detyruar bizneset të mbështeten te moshat më të thyera.
Analiza sipas nivelit arsimor tregon se peshën kryesore në këtë fenomen e mbajnë pensionistët me arsim 8 dhe 9-vjeçar. Kjo kategori ka regjistruar rritjen më agresive, duke u kulmuar në tremujorin e parë të vitit 2025 me një shkallë punësimit prej 29.7%. Ky fakt tregon se një pjesë e madhe e pensionistëve që mbeten aktivë në treg janë të angazhuar në sektorë që kërkojnë krah pune fizik ose kualifikim të ulët, si bujqësia apo shërbimet mbështetëse, ku mungesa e fuqisë punëtore të re është më e ndjeshme.
Nga ana tjetër, edhe të moshuarit me arsim të mesëm kanë shënuar një ecuri progresive, duke u rritur nga nivelet minimale prej 4-5% që vëreheshin në vitet 2014-2015, në një rekord prej 26.6% në periudhën e fundit të raportuar.
Ndryshe paraqitet situata për kategorinë me arsim të lartë. Edhe pse ka një rritje të lehtë krahasuar me vitet e kaluara, shkalla e punësimit për intelektualët mbi 65 vjeç mbetet më e ulëta mes grupeve, duke u luhatur rreth 14.9%. Ky hendek tregon se ndërsa tregu ka nevojë urgjente për punëtorë të thjeshtë, integrimi i të moshuarve në profesione me kualifikim të lartë mbetet i kufizuar ose i diktuar nga procesi natyror i daljes nga sistemi administrativ.
Të dhënat tregojnë se kufiri i pensionit po bëhet gjithnjë e më shumë formal, ku mosha e tretë po shndërrohet në një shtyllën kryesore të kapitalit njerëzor.
Burimi: Monitor




