Një shtetas 47-vjeçar është gjetur i pajetë në një banesë në Fier, ndërsa dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur.
Viktima është gjetur fillimisht nga komshiu i pronarit të shtëpisë, pasi ky i fundit kishte një muaj që ndodhej në Greqi.
Nikollaq Lule, i cili kujdesej për shtëpinë e vëllait të tij, Uan Lule, dha nja prononcim për media, ku zbuloi detaje nga ngjarja. Ai tha se viktima ishte veshur me kapuç dhe doreza, sipas tij ‘gati për të grabitur’.
“E gjeta të varur këtu. Vëllai ka ikur, po bën një muaj në Greqi te fëmijët. Do kalonte Pashkët dhe do vinte. Unë para dy ditësh isha këtu, kontrollova, por nuk gjeta gjë. Mirëpo kaloi një komshi që vjen përditë për t’i ushqyer qenin, kur kishte ardhur sot në mëngjes kishte gjetur një person këtu në dritare dhe kishte lajmëruar policinë. Lajmërova edhe unë vëllanë, pastaj erdha këtu sepse i kam unë çelësat e shtëpisë. Xhamat janë të vegjël, mirëpo ai ka tentuar të futet aty, e për pasojë ka ngecur gjysma e trupit.
Në mëngjes ai zotëria që vjen ushqen qenin e kishte gjetur të vdekur. Unë nuk jetoj këtu, erdha sepse kisha çelësat e shtëpisë. Nuk e njoh (viktimën). Ishte me kapuç, me doreza, i përgatitur për vjedhje. Nuk kishte mjete identifikuese me vete.”, tha ai.




