Hajduti 40-vjeçar humb jetën gjatë tentativës për vjedhje në banesën e…

Jugulajm.net
1 Min Read

Një ngjarje tej mase e pazakontë është regjistruar gjatë natës, ku një person ka humbur jetën në rrethana tragjike gjatë një tentative për vjedhje në lagjen “8 Shkurti” në Fier.

Sipas informacioneve paraprake, viktima, një burrë rreth të 40-ave dhe ende i paidentifikuar, dyshohet se ka tentuar të hyjë në një banesë trekatëshe përmes dritares. Gjatë përpjekjes, ai ka mbetur i bllokuar në hapësirën e saj, duke mos arritur të dalë, çka dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen.

Banesa i përket shtetasit Uan Lule, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij. Ngjarja është konstatuar nga një fqinj, i cili kujdeset për banesën në mungesë të pronarit. Ka qenë pikërisht ai që ka gjetur trupin e pajetë dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Trupi i viktimës është transportuar në morgun e Fierit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Share This Article