Nga Fejzo Subashi
Demokracia shqiptare lindi me një mëkat themelor: Frikën për ta zgjidhur drejt çështjen e pronës. Ky mëkat prodhoi një nga plagët më të rënda të shtetit shqiptar, Ligjin 7501, i cili nuk ishte thjesht gabim ligjor, por zgjedhje politike e vetëdijshme e klasës politike në fillimet e tranzicionit. Një zgjedhje që u shndërrua në gozhdën e Nastradinit për shtetin, shoqërinë dhe ekonominë.
Kjo gozhdë u prodhua nga klasa politike e djeshme, u mbajt me qëllim nga politika e sotme për vite me radhë, dhe vetëm politika mund ta shkulë. Nuk ka zgjidhje teknike për një problem politik. Nuk ka zgjidhje lokale për një padrejtësi kombëtare. Dhe kjo përgjegjësi, sot, i mbetet drejtpërdrejt Kryeministrit Rama dhe Qeverisë së tij. Ligji 7501 e trajtoi pronën jo si themel të kapitalizmit, por si instrument qetësimi social dhe pazari politik. Ai prodhoi abuzim masiv, pasiguri juridike, konflikte pronësie dhe një realitet absurd ku toka nuk dihet kujt i përket, pse i përket dhe çfarë funksioni ka. Pikërisht për këtë arsye, prona në Shqipëri nuk u kthye kurrë në kapital real.
Pa siguri pronësie nuk ka kapitalizëm. Pa kapitalizëm nuk ka zhvillim.
Pa zhvillim nuk ka shtet funksional. Falë kësaj gozhde, Shqipëria ka jetuar për dekada me ekonomi gjysmake, me investime të frenuara, me emigrantë që nuk kthehen dhe me investitorë të huaj që largohen. Jo sepse toka mungon, por sepse ligji mbi tokën nuk sundon. Problemi thellohet edhe më tej nga mungesa e konceptit real të pronës. Në Shqipëri ngatërrohet prona private me pronën bujqësore, sikur të ishin e njëjta gjë. Nuk janë. Juridikisht, ekonomikisht dhe praktikisht ato kanë funksione të ndryshme. Toka bujqësore nuk është thjesht pasuri; ajo është mjet prodhimi, me status, kufizime dhe detyrime publike. Kur kjo nuk kuptohet, prona degradohet, toka lihet djerrë dhe zhvillimi vdes.
Ky konfuzion nuk është rastësi. Ai është produkt i tranzicionit të deformuar, i mungesës së kulturës juridike dhe i interesave që ushqehen nga kaosi. Prandaj kjo çështje nuk është thjesht sociale apo ekonomike – është çështje shteti. Sot, regjistrimi i pronës nuk është luks dhe as favor politik. Është detyrim kushtetues dhe kusht europian. Bashkimi Europian nuk integron shtete me pronë informale, me tokë “fshati” dhe me institucione që nuk dinë çfarë administrojnë. Investitorët e huaj nuk hyjnë aty ku prona është e paqartë dhe ligji relativ.
Në këtë realitet, duhet thënë qartë: Qeveria Rama ka marrë nismën më serioze të 30 viteve për ta shkulur këtë gozhdë. Regjistrimi falas i pronës së përfituar nga Ligji 7501, azhurnimi i dokumentacionit dhe përpjekja për ta kthyer pronën në bazë të zhvillimit janë hapa të drejtë dhe të domosdoshëm.
Por kjo nismë nuk mund të mbetet gjysmake.
Nuk mund të ndalet nga rezistenca e abuzuesve.
Nuk mund të negociohet me interesat e paligjshme.
Gozhda nuk shkulet me dorë të butë. Shkulet me vullnet politik, forcë ligjore dhe përgjegjësi historike.
Kjo gozhdë duhet shkulur jo vetëm sepse na duhet neve, por sepse është kusht për kapitalizmin, për investimet e huaja dhe për hyrjen në familjen europiane. Kush nuk e kupton këtë, ose nuk e do shtetin, ose ka përfituar nga kaosi. Sot, faji i tranzicionit është i dokumentuar. Zgjidhja është politike. Dhe përgjegjësia, pa mëdyshje, i mbetet Ramës dhe Qeverisë së tij. Nëse kjo gozhdë shkulet, Shqipëria bën hap real drejt Europës. Nëse jo, mbetemi peng i gabimeve tona.
Tiranë më 30.01.2026.




