Apel urgjent i Ministrisë së Mbrojtjes: Kujdes maksimal ndaj zjarreve në zonat me bimësi të thatë, sepse…

Jugulajm.net
2 Min Read

Nisur nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë sezonit veror, Ministria e Mbrojtjes u ka drejtuar një apel të fortë të gjithë qytetarëve për të treguar kujdes dhe vigjilencë të shtuar me qëllim parandalimin e vatrajve të zjarrit në mjedis.

Përmes një komunikimi zyrtar, autoritetet kërkojnë shmangien e çdo veprimi të pakujdesshëm në hapësirat e hapura. Konkretisht, i bëhet thirrje popullatës që të mos ndezë zjarre në pyje, fusha apo pranë zonës me bimësi të thatë, të shmangë hedhjen e cigareve të ndezura në rrugë ose pyje, si dhe të ndalojë përdorimin e mjeteve piroteknike e fishekzjarreve në afërsi të zonave të rrezikuara.

Në mesazhin e saj, Ministria e Mbrojtjes rikujton se pasojat e një pakujdesie mund të jenë tejet të rënda. “Një pakujdesi mund të rrezikojë jetë, banesa dhe natyrën,” nënvizon njoftimi, duke e cilësuar mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës si një përgjegjësi të përbashkët qytetare.

Gjithashtu, strukturat e emergjencave civile u kërkojnë qytetarëve që të reagojnë pa vonesë në rast se konstatojnë shpërthimin e flakëve apo tymin në natyrë.

“Konstatove zjarr? Raporto menjëherë në numrat e emergjencës 112, 128 ose 129,” apelon Ministria e Mbrojtjes, duke kërkuar bashkëpunim të drejtpërdrejtë me shërbimet e zjarrfikëses dhe policisë për të ndërhyrë që në hapat e parë të vatrës.

Share This Article