Një zjarr ka rënë në një hotel përgjatë Lungomares së Vlorës, duke shkaktuar panik mes pushuesve që ndodheshin në godinë.
Një turist me origjinë nga Kosova ka përshkruar çastet e frikshme të përjetuara teksa hoteli po përfshihej nga flakët.
“U hodha nga kati i dytë, kishte edhe familje të tjera që u hodhën”, ka deklaruar ai, ndërsa tregonte situatën e krijuar brenda objektit.
Policia dhe ekipet zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje pas përhapjes së flakëve dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Nga kjo ngjarje, 7 persona janë transportuar në spital. Për 3 prej tyre është vendosur dërgimi në Tiranë, ku do të marrin ndihmë më të specializuar.
Ndërkohë, kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat në të cilat ra zjarri.




