Vlorë, zjarri në hotel, flet shefi i Reanimacionit: 5 të lënduar u dërguan në Tiranë, 1 vajzë është djegur thuajse 100%

Jugulajm.net
2 Min Read

Gjashtë persona të dëmtuar nga zjarri që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa pesë prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve dhe momentet e para pas mbërritjes së tyre në spital.

Sipas tij, situata ka qenë tejet emergjente, pasi në mesin e të dëmtuarve kishte persona me djegie të rënda, por edhe pacientë që ishin hedhur nga kati i dytë i hotelit për t’u shpëtuar flakëve.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi Breshanaj.

Dy prej pacientëve u nisën drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, pasi kishin pësuar dëmtime nga rënia, ndërsa tre të tjerë u transportuan drejt repartit të djegieve në QSUT.

“Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha shefi i Reanimacionit.

Gjendja më e rëndë paraqitet te një paciente e re, e cila ka pësuar djegie në pothuajse të gjithë sipërfaqen e trupit dhe ndodhet në rrezik për jetën. Sipas Breshanajt, të dëmtuarit janë kryesisht të rinj

“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, përfundoi ai.

Share This Article